Kukësi, rikthehet trajneri Duro

Vetëm tre ditë ka zgjatur kriza brenda kampit kuksian, teksa trajneri i verilindorëve, Klodian Duro, pas debatit të ditës së enjte me drejtorin e përgjithshëm Ekrem Spahia, është ribashkuar me skuadrën mbrëmjen e të shtunës, pikërisht në darkën pas fitores në transfertë ndaj Flamurtarit.

Duro, ndonëse nuk drejtoi ekipin në seancën stërvitore të së premtes dhe as në ndeshjen e të shtunës në Vlorë, është bashkuar me ekipin në darkën e pajtimit. Vetë drejtori teknik i Kukësit, Hasan Lika, i cili drejtoi ekipin në ndeshjen ndaj Flamurtarit, në deklaratën e tij, duke pranuar debatet e ndodhura, paralajmëroi se drejtuesit kishin zgjidhur çdo problem dhe se gjithçka do t’i rikthehej normalitetit.

Pikërisht kështu ka ndodhur. Për të vërtetuar këtë fakt ka menduar Edon Hasani. Futbollisti i Kukësit ka publikuar në profilin e tij në “facebook” një foto ku shfaqet i gjithë kontigjenti i ekipit verilindor bashkë me presidentin Gjici dhe trajnerin Duro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *