“1 Maji”, festë e protesta nëpër botë

Përleshje të ashpra shpërthyen mes protestuesve të majtë dhe policisë në Hamburg, ku tubimi me gati 2.000 pjesëmarrës, sipas organizatorëve ishte fillimisht paqësor, edhe pse i zhurmshëm. Por shumë prej pjesëmarrësve dukej se ishin të prirur për dhunë.

Skena të ngjashme pati edhe në Stamboll të Turqisë, ku policia përdori gazin lotsjellës ndaj protestuesve. Problemet nisën kur grupe njerëzish tentuan të mblidheshin në sheshin “Taksim” për kremtimin e Ditës ndërkombëtare të Punëtorëve, që ishte ndaluar nga autoritetet. Ka disa raporte ende të pakonfirmuara për një person të vrarë në përleshje.

“1 Majin”, punëtorë e anëtarë sindikatash në Rusi e shënuan me një marshim në “Sheshin e Kuq” të Moskës. Mijëra vetë u mblodhën me flamuj, tullumbace e pankarta në duar, në zemër të kryeqytetit, për të lëvizur pas kësaj përgjatë mureve të Kremlinit.

Kjo ditë në Rusi shihet tradicionalisht si moment për të festuar e për të qenë krenarë, e jo si mundësi për të evidentuar ngërçe sociale akute, apo problemet me të cilat hasen punëtorët. Në pjesë të ndryshme të Azisë, “1 Maji” u kujtua me tubime dhe me thirrjet për rritje page e kushte më të mira pune.

Mijëra njerëzit e mbledhur në Seul të Koresë së Jugut kundërshtuan planet e qeverisë për reforma në punësim, të cilat u lejojnë kompanive pezullimin e individëve neglizhentë, apo të atyre që nuk kanë një performancë të kënaqshme në punë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *