Një operacion antidrogë është finalizuar me vënien në pranga të dy personave dhe 22 kilogram lëndë narkotike Cannabis Sattiva
Fatjon Zykaj, 30 vjeç, banues në fshatin Resulaj – Vlorë dhe Pajtim Basho, 50 vjeç, banues në bashkinë Selenicë – Vlorë janë dy personat të cilët janë kapur nga Policia e qytetit bregdetar të Vlorës.
Këta shtetas, duke udhëtuar në aksin rrugor pranë fshatit Resulaj, në drejtim të Selenicës, me automjetin tip “Audi A3” me targë: Vl5011C, në pronësi të shtetasit: Fatjon Zykaj, janë kapur në flagrancë në ndjekje nga Policia, pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në këtë automjet, është konstatuar një sasi me lëndë narkotike prej 19 kg e 400 gr, kanabis sativa e fshehur në bagazhin e këtij mjeti, mbështjellë me thasë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën 3- katëshe të shtetasit: Fatjon Zykaj, në fshatin Resulaj, Shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi me lëndë narkotike prej 820 gr, të llojit kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Pajtim Basho, në Bashkinë Selenicë, Shërbimet e Policisë kanë gjetur një sasi me lëndë narkotike prej 2 kg e 100 gr kanabis.
Policia ka bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 22 kg e 320 gr, lëndë narkotike të llojit “Cannabis sattiva”, një automjet tip “Audi A-3” me targë: VL 5011 C dhe 3 aparate celularë.