Kalendat greke të reformës në drejtësi

Nga Boldnews.al

Prej mëse një viti politika shqiptare është përfshirë nga ethet e reformës në drejtësi e cila sipas vetë politikanëve (abuzuesit më të mëdhenj në historinë e shtetit shqiptar) do të kryhet për të dhënë drejtësi për qytetarët dhe për të luftuar korrupsionin.

Ekuacioni është i thjeshtë, klasa politike po përgatit një gijotinë për të prerë kokën e vet.

Kush jeton me ngjarjet e ndodhura dhe ka pak kujtesë historike në këtë vend të gjitha iniciativat nga politika kanë ardhur. Ato janë shitur si të mira për mbarë popullin por në fakt gjendja e këtij populli pa dallim regjimi apo partie në pushtet është e njëjtë një kastë si ajo e byros politike është edhe sot, që pasurohet edhe nga hiçi ndërsa shqiptarët e ngrysin çdo ditë e më të varfër.

Klasa politike nuk e do reformën në drejtësi dhe kjo duket edhe tek një farë tërheqje që ka ambasadori amerikan deri dje kumbar i kësaj reforme. Partia Demokratike në opozitë nuk e do reformën sepse frika e madhe është fakti që institucionet e drejtësisë mund të kapen nga kundërshtari politik kryeministri Rama.

Duke analizuar dhe menduar zyrtarët, ish ministrat e kësaj partie të cilët nga të pastrehë sot janë kthyer në posedues të disa dhjetra shtëpive dhe miliona eurove kuptohet lehtësisht shkaku i vërtet. Korrupsioni masiv dhe i pandëshkuar është pengesa kryesore pavarsisht justifikimeve që nxjerr lidershipi i opozitës.

Partia Socialiste e Shqipërisë e cila është kthyer në një korporatë konçensionesh masive sigurisht që nuk ka se si ta dojë këtë të bekuar reformë që i ngjan fiks gijotinës për kokat e politikanëve.

Ministri shëndetësisë i cili me një dorë jep nga 100 milion euro për kompanitë private e di mirë me siguri se një sistem i pavarur drejtësie do ta kishte çuar tashmë pas hekurave me njerëz që janë dënuar ku e ku për krime më të parëndësishme.

Por jo vetëm ai, i gjithë kabineti qeveritar është i përfshirë nga ethet konçensionare, dhe me siguri nëse këtu do ketë një ditë sistem të pavarur drejtësie do përfundonin në burg, ose do arratiseshin diku larg Shqipërisë për të shpenzuar lekët e vjedhura nga shqiptarët.

LSI, kjo parti novatore dhe simbol i organizimit korporativ, e di mirë që reforma mund të jetë edhe fundi i saj. Kreu i saj dhe zyrtarë të tjerë të akuzuar dhe të majmur po aq sa dhe kasta tjetër politike e dy partive të mëdha e dinë ku është vendi i tyre, nëse një ditë do të ketë drejtësi.

Aktorët e teatrit të politikës shqiptare shajnë akuzojnë dhe ngarkojnë njëri tjetrin me përgjegjësi. Palët luajnë me njëra tjetrën?! Në fakt kështu duket, por nuk është kështu. Klasa politike luan me ne shqiptarët ata janë pjesë e të njëjtit grupim korrupsioni. Ata janë partia e të korruptuarve të gjithë. Ndërsa shqiptarët presin e presin po deri kur?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *