Një doganier është ndaluar nga policia e Tropojës pasi ka kaluar pa kryer veprimet doganore rreth 2.9 ton domate nga Kosova. Gjithashtu janë arrestuar 2 personat që po transportonin mallin si dhe ka nisur procedimi në gjendje të lirë për bashkëpunëtorin e tyre.
Sipas të dhënave zyrtare dje është ekzekutuar urdhri i ndalimit për 26-vjeçarin Jeton Markaj banues në fshatin Tetaj, Tropojë, me arsim të lartë, me detyrë doganier në P.K.K. Qafë-Morinë, i cili akuzohet për shpërdorim detyre.
Duke qenë në detyrë, Markaj nuk ka kryer veprimet doganore ndaj mjetit me targa AA 065 EI, në pronësi të shtetasit Nertil Riza, i cili ishte i ngarkuar me një sasi prej 2 ton e 90 kg domate, automjet që dyshohet se ka kaluar kontrabandë nëpërmjet doganës në P.K.K., Qafë-Morinë.
Gjithashtu janë arrestuar në flagrancë Shyqiri Hoxha, 27 vjeç, banues në fshatin Paqe dhe Nertil Riza, 25 vjeç, banues në fshatin Luzhë, pasi në mjetin me të cilin udhëtonin në aksin rrugor Tropojë-Bajram Curri, kishin të ngarkuar 2 ton e 90 kg domate, pa faturë dhe të pa zhdoganuara.
Po kështu filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për 28-vjeçarin me iniciale B.L., banues në fshatin Dushaj, pasi dyshohet si bashkëpunëtor me shtetasit e lartë përmendur.