Trump sfidon Cruz: Dua të merrem tek për tek me ty !

I vendosur në qëndër të kritikave, Donald Trump ka krijuar shumë armiq edhe brenda radhëve të partisë së tij. Kandidati republikan po garon për zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që përballet me rivalin Ted Cruz.

Me një lëvizje të papritur, Trump ka sfiduar me një përballje kokë më kokë me Ted Cruz, ndërsa i ka kërkuar kandidatëve të tjerë të braktisin garën për nominim. Kjo luftë brenda llojit, i ka çorientuar republikanët, ndërsa për analistët kjo është një taktikë për të tërhequr vëmendjen.

“Do të doja të merresha me Cruzin tek për tek”, ishin komentet e Trumpit, kur u qartësua triumfi i tij në primaret republikane të Kentuckyt dhe parapraket e Louisianas.

“Marco Rubio pati një mbrëmje shumë të keqe – shtoi ai. – Personalisht mendoj se është koha ta lërë garën”.

Trump dhe Cruz morën secili dy shtete në votimet e së shtunës. Po kaq siguroi në kampin demokrat dhe Bernie Sanders, por Hillary Clinton vazhdon ta ruajë statusin e kryesueses pas fitores së thellë të korrur në Louisiana.

Cruz, që një thirrje të tillë e bëri edhe javën e kaluar, argumenton se, për sa kohë fusha republikane mbetet e përçarë, Trump do të vazhdojë të jetë i avantazhuar. Deri tani, as senatori i Floridës, Rubio, e as guvernatori i Ohios, Kasich, nuk kanë bërë ndonjë koment publik mbi këtë çështje.

Sidoqoftë, në këtë pikë edhe analistët janë të bindur se, Cruzi është i vetmi që mund ta ndalojë Donald Trumpin, vrulli i të cilit tashmë po i fut drithërimat edhe vet Partisë Republikane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *