Presidenti i ri i FIFA-s sjell risi historike në botën e futbollit

Zgjedhja e italianit Gianni Infantino në krye të FIFA, po sjell edhe risitë historike në botën e futbollit. Ajo që deri dje konsiderohej e ndaluar, tashmë nuk do të jetë më. Bëhet fjalë për përdorimin e moviolës në fushë ose e thënë ndryshe përdorimi i pamjeve filmike për çdo episod të dyshimtë që lind gjatë një ndeshje futbolli. Vendimi u mor nga Bordi i Federatave të Futbollit në mbledhjen e zhvilluar në Kardif të Uellsit.

“Morëm një vendim historik për futbollit. IFAB dhe FIFA tani po e drejtojnë debatin dhe nuk po e ndalin atë. Unë personalisht jam për mbrojtjen e traditës, por nuk mund të injorojmë progresin teknolgjik. Le të kryejmë këtë test. Ndoshta do të duhen vite për për të gjetur zgjidhjen me të përshtatshme pasi futbolli është një disiplinë sportive e ndryshme nga të tjerët. por ne kërkojmë që të jemi të hapur ndaj çdo risie” – tha presidenti i sapozgjedhur i FIFA-s, Gianni Infantino.

IFAB vendosi që ky sistem i ri teknologjik të tesohet fillimisht për një periudhë 2-vjeçare duke nisur që nga sezoni 2017-2018, ndërkohë që mësohet se aktiviteti i parë që do të ketë moviolën në fushë do të jetë pikërisht Europiani i vitit 2020.

Moviola në fushë do të përdoret në rastet e golave, faullave, pozicioneve jashtë loje, në rastet e kartonave të kuq dhe akordimit të 11-metërshave, por në fund vendimin përfundimtar do ta marrë arbitri.

Është ndryshuar gjithashtu edhe rregulli i kartonit të kuq automatik për lojtarin e fundit ose portierin që shkakton 11-metërsh.

“Nëse portieri ose mbrojtësi, në përpjekje për të kapur topin shkakton një ndërhyrje të parregullt brenda lojës korrekte, nuk do të jepet karton i kuq, por vetëm i verdhë. Në të gjitha rastet e tjera, si ndërhyrjet të dhunshme që mohojnë një gol, do të ketë karton të kuq. Kjo normë do të hyjë në fuqi brenda 1 qershorit për Europianin dhe për Kupën e Amerikës” – shtoi Infantino.

Dritë jeshile ka marrë edhe eksperimentimi i zëvendësimit të katërt nëse një ndeshje shkon në kohë shtesë.

Vendet që kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për eksperimentimin e moviolës në fushën e lojës janë disa ku përmendim Gjermaninë, Holandën dhe Italinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *