Përplasjet në KLD për të promovuar gjyqtarët e pa vlerësuar/ Zbardhet procesverbali

Këshilli i Lartë i Drejtësisë është përfshirë nga një debat shterp, ku presidenti Bujar Nishani në cilësinë e kryetarit ka kërkuar rishikimin e vlerësimit të gjyqtarëve për vitin 2007, pra një diferencë kohore prej 9 vitesh. Kjo është kundërshtuar nga anëtari i KLD-së, Sokol Çomo në mbledhjen e 22 shkurtit 2016, ndërsa procesverbali është zbardhur sot.

(Shkarko proces-verbalin 22 shkurt 2016)

Çomo ka dhënë votën kundër pr/ aktit përfundimtar të vlerësimit për disa gjyqtarë, për vitet 2007-2009, të Kryeinspektorit të Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai e quan të papranueshme që sot në vitin 2016 të vazhdohet të harxhohet energji për të vlerësuar gjyqtarët në vitin 2007. Një vlerësim i tillë me diferencë kohore prej 9 vitesh nuk përmbush qëllimet e ligjit, pasi edhe sikur të identifikohen gjyqtarë të paaftë, përsëri nuk do të kishte asnjë hapësirë ligjore për t‟i larguar këta gjyqtarë nga sistemi, pasi parashikimet ligjore e pamundësojnë një gjë të tillë.

Për presidentin Nishani që është dhe kreu i KLD-së kemi të bëjmë me një detyrim ligjor që KLD nuk mund ta anashkalojë apo injorojë zbatimin, dhe se duhet të jenë anëtarët e ardhur nga Parlamenti t’i kërkojnë këtij të fundit ndryshimin e ligjit.

Por për Çomon është hapësira ligjore e vlerësimit të përshpejtuar e cila nuk është zbatuar nga ky Këshill, megjithëse është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme.

“Këtu është bërë promovimi i gjyqtarëve të apelit, është bërë emërimi i kryetarëve të gjykatave pa iu nënshtruar procedurës së vlerësimit të përshpejtuar që ligji e parashikon. Kështu që asnjë anëtar i KLD-së nuk ka çfarë të kërkojë ligje të tjera, kur një ligj kaq i qartë sa ky që ne kemi, që në rast se do të emërosh dikë në gjykatat e apelit, duhet t‟ia nënshtrosh procedurës së vlerësimit të përshpejtuar, nuk zbatohet”– shprehet Çomo.

Çomo ka kërkuar të përgatitet një listë lidhur me vlerësimet e përshpejtuara ku të kërkohet që të përgatitet një listë se sa ka qenë numri i atyre gjyqtarëve që janë promovuar në gjykatat e apelit dhe që janë zgjedhur kryetar gjykate (në periudhën të paktën nga tetori 2013 pa pasur dy vlerësime dhe pa pasur procedurë vlerësimi të përshpejtuar.

 

 Pjesë nga debati i zbardhur nga procesverbali i mbledhjes së mbajtur më 22 shkurt 2016

Sokol Çomo: Faleminderit, zoti President! Unë dua të shpjegoj votën time kundër. Meqenëse ajo do të jetë e tillë edhe për të gjithë vlerësimet në vazhdim, do ta shpjegoj votën time vetëm një herë. Në optikën time është e papranueshme që sot në vitin 2016 ne të vazhdojmë dhe t‟i harxhojmë energjitë tona për të vlerësuar gjyqtarët në vitin 2007. Diferenca kohore prej 9 vitesh (nga 2016 deri në 2007) vazhdon dhe thellon hendekun midis kohës reale që duhet të kishte procesi i vlerësimit dhe asaj që ne jemi duke bërë në fakt. Ky vlerësim me një diferencë kohe prej 9 vitesh nuk përmbush qëllimet e ligjit, pasi qëllimet kryesore të ligjit janë që nga procesi i vlerësimit, të identifikohen nevojat për trajnime të gjyqtarëve dhe kuptohet që pas 9 vitesh edhe sikur të kuptojmë ndonjë gjë nga ky sistem vlerësimi, nuk ndihmojmë dot për trajnimin e këtyre gjyqtarëve, dhe nga ana tjetër, edhe sikur të identifikonim gjyqtarë të paaftë, ne përsëri nuk do të kishim asnjë hapësirë ligjore për t‟i larguar këta gjyqtarë nga sistemi, pasi parashikimet ligjore e pamundësojnë një gjë të tillë. Dhe në këto kushte kur hendeku kohor midis vlerësimeve që bën KLD-ja dhe viteve reale që vlerësohen sa vjen dhe thellohet, unë përsëri i ngelem idesë që energjitë e Inspektoratit, energjitë e KLD-së duhet të orientoheshin drejt vlerësimeve të përshpejtuara, të cilat do të duhet t‟i dedikoheshin rasteve kur vërtet kemi kërkesa për promovime në karrierë të gjyqtarëve dhe vazhdimësia në këtë rrugë është jo efiçente dhe kjo është arsyeja që unë votoj kundër, pa e lidhur me vlerat individuale të gjyqtarëve, por votoj kundër për shkak të këtij procesi, që në optikën time e ka humbur kuptimin. Faleminderit!

Bujar Nishani: Po! Faleminderit!

Unë do të vazhdoj të ripërsëris edhe atë çka kam thënë në të shkuarën në trajtimin e këtij shqetësimi që për hir të së vërtetës zoti Çomo e ka ngritur vazhdimisht (zoti Sokol Çomo). Për sa kohë është një detyrim ligjor, unë nuk shoh mundësinë që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të anashkalojë ligjin apo ta injorojë zbatimin e ligjit. Megjithatë, unë do të kërkoja me shumë dëshirë, që anëtarët që vijnë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë nga Kuvendi i Shqipërisë, mundësisht të konstatonin dhe të komunikonin me Parlamentin, i cili ta ndryshonte ligjin dhe detyrimin ligjor përkatës, në mënyrë të tillë që t‟i hapte rrugë një qëndrimi më fleksibël Këshillit të Lartë të Drejtësisë në këtë çështje.

Sokol Çomo: Meqenëse u komentua ajo që unë deklarova në votimin e kaluar, më duhet ta rimarr edhe një herë fjalën. Ajo që unë ngrita si shqetësim është që megjithëse ligji parashikon në mënyrë të qartë vlerësimin e përshpejtuar, nuk është bërë asnjëherë nga ky Këshill, megjithëse është kërkuar në mënyrë të vazhdueshme. Këtu është bërë promovimi i gjyqtarëve të apelit, është bërë emërimi i kryetarëve të gjykatave pa iu nënshtruar procedurës së vlerësimit të përshpejtuar që ligji e parashikon. Kështu që asnjë anëtar i KLD-së nuk ka çfarë të kërkojë ligje të tjera, kur një ligj kaq i qartë sa ky që ne kemi, që në rast se do të emërosh dikë në gjykatat e apelit, duhet t‟ia nënshtrosh procedurës së vlerësimit të përshpejtuar, nuk zbatohet. Fakti që ligji nuk zbatohet, nuk do të thotë që duhet të kërkosh ligje të tjera. Zbatojmë njëherë këtë që kemi. Është e zezë mbi të bardhë. E kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme që të bëhet. Asnjëherë nuk është bërë. Dhe mendoj që edhe tentativa për të zbehur shqetësimin tim, duke bërë komentime të caktuara, nuk është se e zgjidh moszbatimin e ligjit. Moszbatimi i ligjit është një çështje fakti, është një çështje e procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, është një çështje e cila ka vite që trajtohet në këtë tryezë.

Që në fillim të veprimtarisë time si anëtar i këtij Këshilli kam konstatuar që kemi hapësira ligjore për vlerësimin e përshpejtuar të cilat nuk i kemi zbatuar në mënyrë flagrante. Dhe për këtë arsye votova përsëri kundër edhe për vlerësimin në fjalë, jo se ka të bëjë me gjyqtarin konkret, por ka të bëjë me procesin. Janë energji që shkojnë në një proces joefektiv, ndërkohë që ne kemi pasur të gjitha mundësitë ligjore për t‟i rifutur energjitë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë në terren ligjor dhe të bënim vlerësime sipas nevojave që do të kishim për karrierën e gjyqtarëve dhe jo të bëjmë vlerësime formale, e theksoj, formale, që nuk japin asnjë efekt në misionin dhe detyrat që ka Këshilli i Lartë i Drejtësisë.

Bujar Nishani: Unë dëshiroj që të tërheq vëmendjen e zotit Çomo, Sokol Çomo, në lidhje me respektimin e një kodi etik në lidhje me komunikimin me Kryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si çdo anëtar tjetër, nuk bën komente. Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë jep opinionin tij, jep mendimin e tij, jep informacionin e tij dhe bën sqarimet ndaj anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të cilët kanë të drejta të barabarta në këtë tryezë. Gjithsesi, administrata, në përfundim të kësaj mbledhje, të përgatisë një listë të plotë me të gjithë rastet e vlerësimeve të përshpejtuara që janë bërë dhe t‟i jepet zotit Çomo që të ketë një informacion në lidhje edhe me këtë pikë.

 Sokol Çomo: Meqenëse u la detyrë i nderuar President që të përgatitet një listë lidhur me vlerësimet e përshpejtuara, do kërkoja që të përgatitet një listë se sa ka qenë numri i atyre gjyqtarëve që janë promovuar në gjykatat e apelit dhe që janë zgjedhur kryetar gjykate (në periudhën të paktën nga tetori 2013 e këtej që unë jam anëtar i këtij Këshilli), pa pasur dy vlerësime dhe pa pasur procedurë vlerësimi të përshpejtuar. Sepse vetëm në qoftë se do të shohim se sa ka qenë numri i gjyqtarëve që janë promovuar në apele, pa pasur dy vlerësime dhe pa pasur vlerësim të përshpejtuar, sa kanë qenë kryetarët që kanë pas vetëm një vlerësim dhe nuk i është bërë vlerësim i përshpejtuar, do të kuptojmë se cilat kanë qenë pasojat e vërteta negative që ka sjellë moszbatimi i kërkesës së ligjit për të bërë vlerësim të përshpejtuar në rastin e promovimit të gjyqtarëve në gjykatat e apelit. Dhe ju lutem, unë optikën time nuk e kam me copëza. Optikën time e kam 360 gradë. Kështu që do ju lutesha që ta urdhëronit administratën që të bëjë edhe këtë detajim të këtij informacioni, që të kenë mundësi të gjithë të kuptojnë se cila ka qenë pasoja e vërtetë e moszbatimit të ligjit nga Këshilli. Faleminderit!

Bujar Nishani: Zoti Çomo, s‟keni pasur asnjëherë ndonjë pengesë për sa kohë – dhe keni jo pak kohë në KLD – që të kërkoni dhe ta merrni këtë informacion. Nëse administrata e ka pasur këtë kërkesë nga zoti Çomo dhe s‟ia ka dhënë, keni bërë gabim. Kalojmë në vlerësimin tjetër. Projekt-akti i vlerësimit të gjyqtares Eneida Civici, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

 

Gjyqtaret e vleresuar ne mbledhjen e 22 shkurtit 2016

  1. Gjyqtar Izet Dushaj, Gjykata e Apelit Shkodër;
    18. Gjyqtar Ilir Mustafaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;
    19. Gjyqtar Enton Dhimitri, Gjykata e Apelit Gjirokastër;
    20. Gjyqtar Ali Koleci, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat;
    21. Gjyqtare Migena Laska, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;
    22. Gjyqtare Eneida Civici, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë;
    23. Gjyqtare Nazmije Pengili, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë;
    24. Gjyqtar Artur Malaj, Gjykata e Apelit Administrativ;
    25. Gjyqtar Dhimitër Lara, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda;
    26. Gjyqtar Kliton Spahiu, Gjykata e Apelit Durrës;
    27. Gjyqtar Sandër Simoni, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda;
    28. Gjyqtar Gjin Gjoni, Gjykata e Apelit Tiranë;
    29. Gjyqtar Ilir Pashaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan;
    (Shtyrë mbledhje e datës 15.01.2016)
    30. Gjyqtar Arben Lera, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë;
    (Shtyrë mbledhje e datës 15.01.2016)
    31. Gjyqtar Hasan Selimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër;
    (Shtyrë mbledhje e datës 15.01.2016)
    32. Gjyqtar Vladimir Skënderi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës;
    (Shtyrë mbledhje e datës 15.01.2016)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *