Raporti i Eurostat: 1.2 milion azilkërkues për 2015, Shqipëria e 5-ta

Mbi 1.2 milion azilkërkues u regjistruan për vitin 2015 në Europë. Shifrat vijnë nga Eurostat nëpërmjet raportit më të fundit, në të cilin bëhet me dije se në total, 65.935 shtetas shqiptarë kanë aplikuar për azil në vendet e Bashkimit Europian. (Sharko raportin)

Sipas dokumentit, destinacioni më i kërkuar nga shqiptarët ka qënë pikërisht Gjermania, në të cilin janë depozituar gjithësej 53.805 aplikime. Vendi ynë është renditur në vendin e pestë sa i përket vendeve nga prej kanë ardhur edhe shumica e kërkesave për azil, duke u vendosur pas Sirisë, Afganistanit, Irakut dhe Kosovës.

Edhe numri i shtetasve kosovarë që kanë kërkuar strehim në vendet e Europës perëndimore ka qënë tepër i lartë, me 68.885 aplikime, duke shënuar kështu pesë përqind të totalit të kërkesave.

Në terma të përgjithshëm, Eurostat njofton se në vitin që lamë, mbi 1.2 milionë emigrantë kanë udhëtuar drejt vendeve të BE-së me shpresën e qëndrimit të përhershëm. Kjo shifër është dy herë më lartë se ajo e regjistruar në vitin 2014.

Largimet më masive kanë qënë nga Siria ndikuar edhe nga lufta civile që vijon prej pesë vitesh. Qytetarët sirianë kryesojnë listën me 362.775 kërkesa për azil.

Nuk mbeten prapa as dy vendet e tjera të lindjes së mesme, që janë Afganistani dhe Iraku, me respektivisht 178.230 si dhe 141.535 kërkesa. Vendi që ka pritur më shumë refugjatë ka qënë Gjermania, e cila në vitin që lamë pas ka strehuar 441.800 azil-kërkues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *