Flet heroi i derbit, Fejzullahu: Tiranës mund t’i shënonim 3 apo 4 gola

Ka qenë “heroi” i derbit. Pa asnjë dyshim. Ka dhënë asistin e golit të parë, teksa Sukaj e ka shtyrë me kokë topin në rrjetën e portës bardheblu, ndërsa pak minuta më pas ka dyfishuar vetë, po me kokë. Në këtë mënyrë, ai ka “vulosur” fatin e përplasjes së 144-t me Tiranën, në stadiumin “Qemal Stafa”. Rikthim mbrësëlënës për Arbnor Fejzullahun, që duket se ka bindur tashmë edhe Agostinelin për aftësitë e tij, si De Biazin në sezonin e kaluar, që e grumbulloi me kombëtaren kuqezi.

Krahu i djathtë ka qenë tërësisht “pronë” e tij, ndërsa kundërshtari është “futur në xhep”. Mjaft entuziast është shfaqur djaloshi nga Presheva, i cili është nën vëzhgimin e disa klubeve të huaja dhe, sipas gjasave, mund të transferohet te ndonjë klub jashtë vendit në fund të këtij sezoni. Do të ishte ideale sikur ta linte fanellën e kuqe i shpallur kampion. “Tirana ishte shumë e dobët në këtë derbi, ndryshe nga sa i kishim bërë llogaritë dhe përgatitjet. I shënuam 2 gola që në fillim dhe kjo, ndoshta, na ndihmoi, sepse na dha krahë dhe na çliroi psikologjikisht.

Megjithatë, ju e patë se e dominuam ndeshjen gjithë kohës dhe, pot ë donim, mund të shënonim gola të tjerë. E kursyem Tiranën kësaj here, por në fund të fundit, rëndësi ka fitorja dhe marrja e tri pikëve, të cilat na japin shtysë të madhe për të besuar te titulli. Gjatë këtij kampionati më është dashur të bëj role të ndryshme, sipas nevojave të skuadrës. Nuk është problem për mua kjo gjë, sepse për këtë vendos trajneri. Megjithatë, sikurse e kam thënë edhe më parë, unë preferoj të luaj më shumë si mbrojtës i djathtë. Në këtë pozicion jap më të mirën time.

Si e kishim përgatitur derbin? Me qetësi të plotë dhe me besim te vetja. Pavarësisht se vinim nga një barazim zhgënjyes në Pukë, me Tërbunin e vendit të fundit, trajneri dhe stafi janë munduar të na mbajnë larg presionit dhe kritikave. Ndërtuam styrategjinë tonë gjatë javës, e cila rezultoi efikase. Ishim udhëzuar nga trajneri që ta fillonim ndeshjen duke bërë presion lart, shënuam dy gola të shpejtë dhe më pas çdo gjë u bë e lehtë për ne. Tiranës mund t’i shënonim 3 ose 4 gola.”

Screenshot_6

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *