Seria A rrezikon kolapsin, borxhet shtohen nga viti në vit

Situata ekonomike në Serinë A është alarmuese. Ish-kampionati më i bukur në botë ka humbur 365 milionë euro në sezonin 2014-15, domethënë në sezonin e falimentimit të Parma-s: kanë qenë 22- në sezonin 2013-14. Ky përkeqësim bën akoma më shumë përshtypje nëse mendohet se në përllogaritjet e përgjithshme mungon, pikërisht, klubi verdheblu, që ka falimentuar dhe për rrjedhojë nuk ka qenë i detyruar të publikojë dokumentet që kanë pasur lidhje me financat. Ajo që bie në sy nga ky hetim i “Gazzetta dello Sport” është se kemi të bëjmë me një kampionat buzë greminës jo vetëm për sa i takon aspektit sportiv, pa Topa të Artë dhe kupa ndërkombëtare, por edhe të paaftë për të ndërmarrë rrugën e ekuilibrit ekonomiko-financiar.

Në vitet e fundit të ardhurat kanë qenë të qëndrueshme, madje kanë pësuar një rritje të lehtë (1,84 miliardë, 40 milionë më shumë se në sezonin 2013-14), kryesisht falë të shitjes së të drejtave televizive, që përfaqësojnë 60% të të ardhurave. Por situata është përkeqësuar për shkak të rritjes së kostove me rreth njëqind milionë euro (2,4 miliardë euro, gjysma shkon për rrogat) dhe uljes së suficitit për rreth njëqind milionë të tjerë. Për ta kompletuar këtë panoramë, duhen shtuar edhe efektet negative që kanë ardhur nga vendimi i Federatës Italianë për t’i dhënë fund bashkëpronësisë së lojtarëve. Kjo është llogaria ekonomike, ku realiteti maskohet shpesh nga marrëveshje për shitjen e markës dhe duke fryrë vlerat e futbollistëve.

Më pas është arka, ajo që administratorët e deleguar e shikojnë me vëmendje duke zbuluar, në shumicën e rasteve, se është e boshatisur. Kjo konfirmohet nga borxhet që nuk po japin asnjë shenjë ngadalësimi. Nëse përjashtohet Parma, që ka përfunduar në greminë nga borxhet, borxhi neto i Serisë A është rritur në sezonin e kaluar me 100 milionë euro të tjerë, nga 1.6 në 1,7 miliardë. Roma dhe Inter kanë bërë një ristrukturim të borxhit, duke ndjekur shembullin e familjes Glazer te Manchester United, dhe kjo situatë duhet të jetë shumë shqetësuese për tifozët e dy skuadrave: të mirat e zikaltërve dhe verdhekuqve zotërohen nga bankat. Edhe pse duhet pranuar se në të kaluarën futbollit italian nuk ka qenë një shembull për t’u ndjekur për sa i takon aspektit financiar, por tani situata është përkeqësuar ndjeshëm për shkak se mungojnë kapitalet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *