PD çon në KQZ 3 kërkesat: Referendum për parkimet nëntokësore, parkun e lojërave dhe zgjerimin e liqenit

Një ditë pasi e paralajmëroi, kreu i departamentit të mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi ka dorëzuar në KQZ 3 kërkesat për referendum që kanë të bëjnë me zgjerimin e Liqenit Artificial në të dy krahët e korpusit Universitar, ndërtimin e parkimit nëntokësor tek Parku “Rinia” si dhe ndërtimin e parkut të lojërave tek kodrat e liqenit.

“KQZ duhet të na japë formularët për referendumin. Pas formularëve do mbledhim aq firma sa kërkohen. Kjo është një mundësi që të flasin qytetarët që s’janë pyetur”, tha Malltezi.

Mallteziii (5)

DEKLARATA E PD

Partia Demokratike depozitoi sot 3 kërkesa për referendume vendore që të mundësoje që zëri i qytetarëve të dëgjohet. Konkretisht, kërkohet referendum vendor për:

– Parkimin nëntokësor tek Parku Rinia

– Ndërtimin e objekteve social-kulturore dhe administrative në dy anët e Korpusit te Universitetit Politeknik

– Ndërtimin e kompleksit te lojërave mbi sipërfaqe betoni në zemër të parkut të Liqenit

Të gjitha këto objekte mund të ndërtohen në zona alternative duke mos cenuar edhe me tej mushkëritë e dëmtuara të Tiranës.

Në kushtet kur janë marrë vendime që cenojnë rëndë zonat e ndjeshme mjedisore, pa kryer proces të mirëfilltë të ndikimit në mjedis, jo transparente, pa konsultim me qytetaret siç kërkohet nga ligjet ne fuqi, është e domosdoshme që qytetarët e Tiranës të shprehen për këto vendime.

Në propozimin që ka dorëzuar PD, qytetaret janë ftuar të përgjigjen në pyetjet si vijon:

  1. A jeni dakord me vendimin nr. 67 datë 30.12.2016 të Këshillit Bashkiak për ndërtimin me koncesion të një parkimi nëntokësor tek Parku Rinia?
  2. A jeni dakord me vendimin për të ndërtuar objekte social-kulturore, universitare dhe administrative në dy anët e Korpusit të Universitetit Politeknik?
  3. A jeni dakord me vendimin për të ndërtuar parkun e lojërave në zemër të Parkut të Liqenit sipas vendimit nr. 1 datë 12.02.2016?

Kërkesa sot u depozitua në KQZ nga Departamenti i Mjedisit dhe disa anëtarë të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Partia Demokratike fton KQZ të miratojë sa më parë formularin që do mundësojë qytetarët të mbledhin firmat e nevojshme për shpalljen e referendumit.

(Boldnews)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *