Kosovë-Shqipëri drejt marrëveshjes për Inspektoratet Shëndetësore

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Imet Rrahmani, priti sot në një takim Kryeinspektorin e Shëndetësisë së Shqipërisë, Eltar Deda me bashkëpunëtorë, të shoqëruar nga ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi.

Gjatë fjalës së tij, ministri Rrahmani theksoi se “vizitat e tilla forcojnë bashkëpunimin, që kanë dy shtetet në mes tyre, dhe japin kontribut në zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të reja duke shkëmbyer eksperiencat praktike inspektuese”.

Ai shprehu idenë për projekte dhe investime të përbashkëta midis dy shteteve duke përfshirë edhe inspektoratin.

Kryeinspektori Deda nënvizoi se “qëllimi i vizitës është njohja nga afër me praktikat e Inspektoratit Shëndetësorë të Kosovës, si dhe mundësinë e shkëmbimit të përvojave tona, me qëllim të ngritjes së cilësisë në këtë drejtim”.

Ai tha se gjatë inspektimeve të përbashkëta të inspektorateve, të zhvilluara dje në Kosovë, janë njohur nga afër me praktikat e inspektimit dhe kanë shkëmbyer përvojat e tyre. Deda shtoi se ka ardhur koha për një marrëveshje bashkëpunimi mes dy inspektorateve shëndetësore të dy shteteve tona, e cila do të përmbante specifika të veçanta bashkëpunuese.

Ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi, falënderoi ministrin për bashkëpunimin që po bëhet në fushën e shëndetësisë, mes Veriut të Shqipërisë dhe Jugut të Kosovës.

Qëllimi i kësaj vizite dy ditore, dje e sot, të Inspektoratit Shëndetësorë Shtetërorë të Republikës së Shqipërisë në Kosovë është njohja nga afër me punën e dy Inspektorateve Shëndetësore dhe thellimi i bashkëpunimit në mes tyre.

Gjatë qëndrimit dyditor janë zhvilluar vizita inspektuese të përbashkëta në institucionet shëndetësore publike dhe private për të shkëmbyer përvojat praktike te fituara në inspektim.

Vizita e delegacionit të Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, është në vijim të zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë të nënshkruar më 25 prill 2014 në Prishtinë nga ministrat e Shëndetësisë të dy shteteve, dhe takimit të mbajtur në 8 qershor 2015 në pikën kufitare Morinë të dy kryeinspektorëve shëndetësorë, si dhe vizitës së delegacionit të Inspektoratit Shëndetësor të Kosovës prej 4 deri 7 nëntor 2015 në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *