“Demat e kuq” triumfojnë 2-0 përballë bardhebluve

Ka përfunduar supersfida e javës së 24 në Superligën Shqiptare e luajtur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Partizani ka arritur të mposhti Tiranën me rezultatin 2-0, një fitore mjaft e rëndësishme për demat e kuq të cilët i afrohen kryesuesve të Skënderbeut.

90 minutëshi në impiantin “Qemal Stafa” mori përmasa shpërthyese që në start kur u shënuan dy gola brenda çerek ore lojë. Tifozët bardheblu vuajtën supermacinë e sikletshme të mbështetësve rivalë që kaluan në delir për këtë avantazh komod.

Koreografia e bukur e tifozëve u harrua shpejtë me golin e Xhevahir Sukaj në të parin aksion të vërtetë të Partizanit. Një krosim i Fejzullahut solli goditjen me kokë të sulmuesit shkodran që ishte i aftë t’i shpëtonte markimit të mbrojtësve.

As koha për të reaguar nuk ju la Tiranës së trajnerit Daja pasi këtë herë Fejzullahu shënoi personalisht duke tundur me kokë rrjetën e portës së Bakaj. Me shifrat 2-0 Partizani ruajti frenat e lojës, ndërsa ndeshja u ndërpre në një çast pas përdorimit të lazerëve nga disa tifozë dhe kapitenët qetësuan mbështetësit respektivë.

Për Tiranën në fraksionin e parë raste sporadike me Gilman Likën dhe Fukuin. Lufta sportive u zëvendësua shpejtë me nervozizmin në rinisje të lojës dhe nga kjo më shumë vuajti Tirana e cila e pa veten në inferioritet numerik.

Kartoni i verdhë për Elis Bakajn u kthye mënjëherë në të kuq pas protestave të sulmuesit bardheblu ndaj arbitrit kryesor Jemini, një veprim amator në një derbi me peshë të tillë. Minuta e 60 solli tension mes futbollistëve ndërsa në stadium gjatë gjithë kohës kishte ofendime të ndërsjella mes tifozërive.

Pas ndeshjes së sotme Partizani mbetet në vendin e dytë me 52 pikë, 1 pikë larg kryesuesve, ndërsa Tirana në vendin e tretë me 39 pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *