Basha takon Mogherinin: Jo BE me Prengë e Bushë, kjo qeveri po investon për konflikt politik

Kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka takuar mëngjesin e sotëm Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Federica Mogherinin, me të cilën ka ndarë shqetësimet për situatën politike aktuale në vend.

Pas takimit që ka zgjatur rreth 30 minuta, Basha ka dhënë edhe një prononcim për mediat, ku ka informuar për temat e takimit. Kreu i PD-së ka akuzuar maxhorancën se po investon për konflikt politik dhe jo konsensus.

“Folëm për situatën aktuale politike në vend, pasojat që ka për qytetarët shqiptarë por dhe BE që u detyrua vitin e kaluar të priste shumë emigrantë. Situatë e shkaktuar kjo si pasojë e krimit korrupsionit e zhbërjes dhe zmbrapsjes së Shqipërisë në qershorin e 2013-ës. Kjo qeveri u zotua që nuk do vinte në dyshim asgjë, sot vonon vendimin e Kushtetueses. Opozitës nuk mund ti mohohet e drejta Kushtetuese”, tha Basha.

Kryedemokrati Basha tha se e ka informuar Mogherinin se kjo maxhorancë ka pamundësuar hetimin e çështjeve të rënda të korrupsionit, apo shkarkimet masive në administratë.

“Dy komisione të pezulluara dhe mbi të gjitha çështjen kyçe të dekriminalizmit. Kjo risjell në kujtesë qëndrimin në krah të krimit të kreut të maxhorancës. Është një qëndrim sfidues ndaj mesazheve të aleatëve tanë”, tha ai.

Basha tha se PD mbetet për një reformë në drejtësi të pakapur dhe për dialog.

“Folëm edhe për reformën në drejtësi, ku PD mbetet e angazhuar për një reformë të pakapur. PD mbetet e hapur për dialog. Maxhoranca refuzon reformën në drejtësi. Jemi për çdo reformë që sjell më afër vendin ndaj anëtarësimit në BE”, u shpreh kreu i opozitës.

Sipas tij, PD është e përkushtuar që të bëjë gjithçka për çeljen e negociatave me BE-në.

“Ne duam që Shqipëria të nisë sa më shpejt negociatat për të qenë anëtare e BE. Jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka në dorën tonë. Shqipëria në BE nuk mund të jetë e Prengëve, Bushëve e Doshëve por e demokratëve dhe socialistëve të ndershëm. Me rregulla loje që funksionojnë, me shtet që funksionojnë. Reforma në drejtësi është një proces, jo një ligj, që të shndërrohet në ligj lypset dialog politik, Kjo qeveri nuk i plotëson kushtet për dialog politik por e kundërta investon për konflikt politik”, theksoi Basha.

(Boldnews)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *