U denoncua nga PD, Gjykata e Korçës lë në burg kreun e PS Ersekë

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për kryetarin e Partisë Socialiste Ersekë i cili mbante postin e drejtorit të Ujësjellësit në Ersekë.

Bëhet fjalë për Oresti Malushin, ku emri i tij do të bëhej publik nga Partia Demokratike. Sipas kreut të të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, Malushi lëvizte lirshëm me armë pa leje ndërsa ka kërcënuar mbështetës të Partisë Demokratike.

“Njeriu, të cilit Edi Rama i ka besuar Partinë Socialiste të Ersekës, Orest Malushi, jo vetëm është me precedentë penalë për plagosje të rëndë me armë, por bredh edhe me pistoletë në brez dhe godet e kërcënon demokratët. Ky drejtues socialist i Edi Ramës, në shoqërinë e kreut të PS-së së Leskovikut, Sergei Peshtani, dhe drejtorit të Ujësjellësit, Robert Hamzaj, ka qëlluar me armë drejt anëtarit të Partisë Demokratike, Zylyftar Byreku, në një lokal në Shelegur” – deklaroi pak ditë më parë, Alibeaj.

Orest Malushi u vendos në pranga pasi akuzohet për dy vepra penale, përkatësisht atë të kanosjes dhe armëmbajtjes pa leje. Fillimisht policia tha se incidenti kishte ndodhur për shkak të një konflikti banal. Por prokuroria deklaroi se ndaj tij ekzistojnë prova shkencore që e implikonin në vepra penale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *