SHBA, Ben Carson i thotë lamtumirë garës për President

Ben Carson pritet t’i thotë lamtumirë garës për Shtëpinë e Bardhë. Kështu e interpretojnë mediat amerikane deklaratën e publikuar nga kandidati republikan me ngjyrë.

Carson pranon se nuk sheh një “të ardhme” në garë, pas humbjes së djeshme në të Martën e Madhe.

Ai bën gjithashtu me dije se, të enjten nuk do të marrë pjesë në debatin televiziv me rivalët e tjerë të Partisë Republikane.

Demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump fituan shumicën e shteteve në ditën më të madhe të garës për nominimin presidencial.

Në fjalimin e fitores, Clinton la të kuptohej se, tashmë e sheh veten duke luftuar për Presidencën me Trumpin. “Ka shumë gjëra në lojë në këto zgjedhje, – tha ajo. – Rreziku nuk ka qenë kurrë më i lartë, ndërsa retorika që dëgjojmë nga pala tjetër, kurrë më e ulët”.

Manjati, nga ana e tij, këmbënguli ta përshkruante veten si një “bashkues”, që mund ta hedhë pas krahëve luftën brenda partisë republikane për t’u fokusuar te gara e përgjithshme. “Kur e gjithë kjo të ketë mbaruar, do të kem punë vetëm me një njeri, Hillary Clintonin”, tha ai./tch/

(Boldnews)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *