Mori 100 euro për të kaluar fidanë hardhish dhe agrumesh, prangoset doganieri

Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një doganier të Kakavijës pasi i ka marrë një qytetari 100 euro për të mos kryer procedurat doganore për 225 fidanë hardhish dhe agrumesh.

Nga Shërbimet e Sektorit Ekonomiko-Financiar në  Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër është bërë arrestimi në flagrancë i 48-vjeçarit Mehmet Shehu, banues në Memaliaj, me profesion doganier i parkimit në Degën Doganore Kakavijë.

52-vjeçari me iniciale P.H ka bërë kallëzim pasi në parkimin e doganës ky doganier i ka kërkuar dhe i ka marrë nëpërmjet presionit një shumë prej 100 eurosh për të mos kryer procedurat doganore të 225 fidanëve hardhi dhe 62 fidanëve limon, portokall dhe mandarina, të cilat i kishte ngarkuar në mjetin e tij.

Doganieri pasi i ka marrë eurot nuk i ka dhënë asnjë dokument doganor shtetasit P.H., por i ka thënë që je në rregull të kam regjistruar.

Nga verifikimet e kryera nga ana e Policisë rezultoi se doganieri nuk kishte kryer asnjë veprim duke përvetësuar shumën e eurove, (mallrat nuk plotësonin vlerën për t’ju nënshtruar procedurave doganore).

Në cilësinë e provës materiale iu gjetën dhe sekuestruan dy kartëmonedha të prerjes 50 euro. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

(Boldnews)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *