Deklarata e Ambasadorit Lu, Manjani: Gati të shkarkoj gjyqtarë e prokurorë të korruptuar

Mbahet sot në Tiranë tryeza e rrumbullakët me temë “Bashkëpunimi rajonal në çështjet penale” ku përveç drejtuesve të gjykatave shqiptare marrin pjesë një delegacion nga Gjykata e Lartë e Republikës së Maqedonisë dhe Gjykata e Lartë e Malit të Zi.

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani përshëndeti këtë tryezë dhe nisjen e bashkëpunimit mes gjykatave të rajonit. Ai theksoi se sfidat janë të përbashkëta duke kërkuar heqjen e hapësirave juridiksionale për ndëshkimin e krimit.

“Është e rëndësishme që ju keni filluar të bashkëpunoni. Ky është një lajm shumë i mirë.E theksoj se në mënyrën se si gjykohen çështjet, gjykatësit janë të pavarur. Standardi i gjykimit është standard demokratik. Por atë bashkëpunim që kemi ndërtuar në nivel ekzekutiv apo hetimor ta çojmë edhe në nivel gjyqësor deri sa të vijë një ditë që hapësira juridiksionale të mos ketë dallime parimore në luftën kundër krimit”, tha Manjani.

Ai deklaroi se krimi i organizuar është gjithandej, trafiku gjithandej, pastrimi i parave gjithandej. “Kemi një rol se si mund t’i shkëmbejmë përvojat për të bërë të mundur që kultura e pandëshkueshmërisë të mos fshihet pas juridiksionit. Qeveritë mbështesin këtë sfidë. Ne e nxisim bashkëpunim ndërmjet gjykatave me qëllim që të krijojmë njëherë e mirë klimën e ciklit të shpëtimit nga ligji”,theksoi Ministri i Drejtësisë.

Ministri Manjani ka folur edhe për deklaratën e ambasadorit amerikan Donald Lu, i cili tha se iu është ndaluar hyrja në SHBA gjyqtarëve shqiptarë të korruptuar. Manjani deklaroi se është gati të shkarkojë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar por ai tha se nuk ka emra. “Jam gati të shkarkoj gjyqtarë e prokurorë të korruptuar. Jemi me fat që kemi mbështetje kaq të madhe. Jemi gati për procedim të të dyshuarve për korrupsion. Nuk kemi emra për këtë gjyqtarë të refuzuar”, tha ai

(Boldnews)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *