Daja: Nesër luajmë për fitore, derbet nuk i ngjajnë njëri-tjetrit

Trajneri Ilir Daja e ka konfirmuar veten si njeriu që thyen tabutë e Tiranës. E bëri këtë në “Zeqir Ymeri”, ku 24 herë kampionët e vendit nuk e njihnin kurrë fitoren, e bëri këtë në stadiumin e Laçit, ku kryeqytetasit nuk fitonin dhe shënonin dot gol prej më shumë se 4 vitesh, do të tentojë të “prishë syrin e keq” edhe nesër, të dërgojë në shtëpinë bardheblu derbin, të fituar, pas 7 ballafaqimesh “agjërim” në këtë drejtim. Do t’ia arrijë kësaj, apo jo, këtë mbetet ta tregojë fusha e blertë e “Qemal Stafës”, nesër, nga ora 18:00.

Sigurisht, Tirana do të hyjë për fitore dhe për këtë gjë ka menduar gjithë javës trajneri Ilir Daja. Në konferencën për shtyp para përplasjes së ethshme, ish-trajneri kampion me Dinamon dhe Skënderbeun u shpreh: “I bashkohem thirrjes se klubit për ta konceptuar ditën e nesërme si një ditë feste. Derbi është një ndeshje që duhet menaxhuar si duhet. Stresin dhe ngarkesën duhet ta kthejmë në forcë për nesër. Motivimi është maksimal para një ndeshjeje të tillë. Historiku dhe statistikat nuk më pëlqejnë.

Nëse do të krahasojmë Tiranën dhe Partizanin për titujt e fituar, llogaria del në favorin tonë. Çdo futbollist, çdo trajner dëshiron të fitojë në derbi, edhe nëse i ka fituar 10 ndeshjet e fundit. Mungesat? U bë kohë që kemi patur problem, por tani kemi një situatë më të mirë. Bakaj dhe Vucaj janë rikthyer dhe do të jenë të gatshëm. Të dy kanë sakrifikuar për të mos munguar nesër. Një mungesë e rëndësishme për ne ka qenë ajo e Gentjan Mucës.

Do të kemi më shumë alternativa në këtë moment, pa mohuar edhe rëndësinë e lojtarëve të akademisë. Përsa i përket sulmit, mund të them që nuk mund të përmendim çdo moment faktin që nuk kemi një “pykë”. Do të fokusohemi për të bërë një paraqitje sa më të mirë për të kënaqur tifozët. Derbet nuk i ngjajnë njëri-tjetrit, ndaj do të luajmë për të fituar. Përfitoj nga rasti të uroj Ervin Bulkun për ditëlindjen. Gjithë të mirat për të në jetë dhe le të jetë një ogur i mirë para derbit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *