Aksion te tregu i “Medresesë”, sekuestrohen 100 rrota…me penj

Tregtarët e vegjël të tregut të “Medresesë” në Tiranë kanë qenë ditën e djeshme objekt i kontrollit nga ana e tatimeve dhe forcave policore, për verifikimin e dokumentacionit të mallit.

Gjatë kontrollit, inspektorët tatimorë kanë zbuluar se dy tregtarë, e konkretisht F.K dhe K.H, kishin në shitje penj të firmës ‘Akbel’ pa faturën tatimore përkatëse.

Në këto kushte, nga ana e forcave të Policisë është sekuestruar menjëherë malli pa faturë, rreth 100 rrota penj, ndërkohë që dy tregtarët janë vënë në dijeni se do të ndiqen penalisht për veprën penale të “Shkeljes së të drejtave të pronësisë industriale”.

Burime nga vendi i ngjarjes deklaruan për “Boldnews” se dy tregtarët kanë kundërshtuar veprimet e inspektorëve tatimorë dhe të policisë. Ata kanë deklaruar se mallin e kanë blerë në pikat e shumicës dhe nuk mund t’u sekuestrohet, pasi me të ardhurat e tyre mbulojnë shpenzimet familjare.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, rrotat e penjve janë ngarkuar në mjetin e policisë dhe tashmë dy tregtarët duhet të japin llogari penalisht për shitjen e paligjshme të mallit.

(Boldnews)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *