Pabarazia në Shqipëri, 4 % e depozituesve në banka zotërojnë 4.1 miliard USD

Niveli i pabarazisë ekonomike në Shqipëri vijon të thellohet çdo ditë. Pas raportit të Bankës Botërore, një tjetër raport por i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave tregon diferencën e madhe mes të pasurve dhe të varfërve në vendin tonë.

Sipas raportit  4 për qind e individëve depozitues në Shqipëri zotërojnë plot 4.1 miliardë dollarë depozita në banka. Kjo nxjerr në pah se, pjesa dërrmuese e kursimeve në sistemin bankar janë të përqëndruara në pak duar.

Gjithashtu sipas ASD-së, vitin e kaluar, mbi 58 për qind e totalit të depozitave në sistemin bankar zotëroheshin nga vetëm 4 për qind e individëve. Kjo do të thotë se, pjesa tjetër, pra 96 për qind e individëve ndajnë mes tyre 42 për qind të totalit të kursimeve.

Të dhënat e detajuara të ASD-së që priten të dorëzohen në parlament tregojnë se, në fund të vitit të kaluar, individët zotëronin në total rreth 890 miliardë lekë depozita në banka. Sipas monedhave, 51 për qind e tyre janë në Lek, ndërsa pjesa tjetër janë kursime në valutë.

Legjislacioni shqiptar në fuqi detyron që agjencia e depozitave të sigurojë plotësisht çdo depozitë bankare deri në 2.5 milionë lekë dhe të dhënat zyrtare tregojnë se, 96 për qind e individëve janë plotësisht të siguruar, pasi kursimet e tyre nuk e kalojnë këtë nivel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *