Ekskluzive/ Si u zbulua droga e “Ben Çamit”

Droga e “Ben Çamit”, e zbuluar pak ditë më parë në Kapshticë, mund të kalonte për në Greqi, nëse shoferi i kamionit do të merrte “sinjalin” që priste nga punonjës policie.  Pasi u arrestua më 25.02.2016,  Eldi Zahiri që drejtonte mjetin ku u gjetën 575 kg kanabis, ka deklaruar para grupit hetimor se ai kishte ndaluar mjetin pranë pikës së kalimit kufitar, derisa të njoftohej se mund të kalonte pa u kontrolluar.

Zahiri shprehet se nuk ka dijeni se cilët ishin punonjësit e policisë që kishin lidhje me organizatorët e këtij trafiku nga Shqipëria në drejtim të Turqisë. Nga relacioni policor i arrestimit të tij, evidentohet fakti se zbulimi i lëndës narkotike ka qenë rastësore.

Shoferi i kamionit, Zahiri, kishte ndaluar mjetin e tij pak metra para hyrjes për në zonën e kontrollit doganor, në pikën e kalimit kufitar në Korçë. Ai kishte dalë nga mjeti dhe nuk po kryente asnjë procedurë, gjë që shkaktoi probleme në qarkullimin e mjeteve të tjera. Dy agjentë të policisë kufitare i afrohen shoferit, duke i kërkuar që të afrojë kamionin në pikën doganore. Por, duke qënë i papërgatitur për kryerjen e trafikut të lëndëve narkotike, Zahiri është shfaqur shumë i shqetësuar, gjë e cila u ka rënë në sy policëve. Ata kanë ushtruar kontroll në mjet, ku edhe zbuluan 575 kg lëndë narkotike e llojit cannabis sattiva, duke arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit.

Gjatë marrjes në pyetje, Zahiri deklaroi se kishte dijeni për lëndën narkotike që gjendej në kamion dhe ishte nisur në drejtim të Turqisë. Sipas tij, personat që kishin siguruar ngarkesën i kishin thënë se duhej të priste momentin e përshtatshëm për të kaluar kufirin. Gjithësesi, ai ka deklaruar se nuk i njeh personat që organizonin trafikun. Zahiri ishte paguar 12 mijë euro për të dërguar lëndën narkotike deri në Turqi.

Menjëherë pas arrestimit të shoferit të kamionit, grupi hetimor nisi veprimet proceduriale, në bazë të të cilave u zbuluan edhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar.

Njëri është shtetasi Janaq Kaceli, i cili u zbulua në bazë të komunikimeve telefonike me shoferin e mjetit.

Në vijim të hetimit paraprak, grupi hetimor ngriti dyshime se personi kryesor në këtë trafik është shtetasi Lutfi Shabani, i njohur edhe si “Ben Çami”, i cili ka edhe precedentë të mëparshëm në trafikun e lëndëve narkotike.

Në bazë të materialeve të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për të tre personat e dyshuar.

Gjykata e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë në dt. 29.02.2016 dhe aktualisht janë duke u zhvilluar hetime për të identifikuar persona të tjerë bashkëpunëtorë, si edhe pritësit e lëndës narkotike.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *