Çudia në Durrës, Polici i kërkon patentën pasagjerit, pezullohet nga puna

Një episod qesharak ka ndodhur në Durrës ku një efektiv i policisë rrugore pasi ka ndaluar një automjet për kontroll i ka kërkuar patentën pasagjerit. Videoja është publikuar nga “Jeta Osh Qef” dhe shihet se polici këmbëngul për patentën e pasagjerit.

Si personi që drejtonte makinën edhe pasagjeri hasin shumë vështirësi për t’i mbushur mendjen policit se patenta është e detyrueshme ta ketë vetëm drejtuesi i mjetit. Madje pasagjeri i thotë se nuk ka patentë dhe e pyet nëse i njeh mirë polici ligjet dhe rregullat.

Duhej ndërhyrja e kolegut të policit i cili më në fund i mbushi mendjen se nuk mund t’i kërkosh patentë pasagjerit. Më pas polici i kërkon atij dokumentin e identifikimit.

REAGIMI, PEZULLOHET POLI, MASË DISIPLINORE PËR EPRORIN E TIJ

Menjëherë pas videos së publikuar ka ardhur edhe reagimi nga ana e Drejtorisë së Policisë së Durrësit. Polici në fjalë, Neim Imeri është pezulluar ndërsa është marrë masë disiplinore për eprorin e tij.

“Lidhur me videon e publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqet punonjës policie që në mungesë profesionalizmi dhe duke mos respektuar procedurat ligjore, i kërkon lejen e drejtimit pasagjerit pasi ka ndalur një automjet për një kontroll rutinë, ju informojmë se Policia e Durrësit ka pezulluar menjëherë efektivin Neim Imeri, me detyrë Punonjës i Patrullës së Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Durrës, si dhe ka nisur ecuria disiplinore për shkelje të rëndë të detyrës për eprorin e tij të drejtpërdrejt, Arjan Çali, me detyrë Përgjegjës Turni, nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në DPPSH. Policia e Shtetit fton qytetarët të denoncojnë rastet e shkeljeve të punonjësve të policisë në numrin 129 dhe numrin falas të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat 08009090, duke i garantuar për reagimin në kohë dhe marrjen e masave ligjore ndaj abuzuesve”, deklaron Policia e Shtetit.

(Boldnews)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *